Politikat e Investimit

Neni 62
Politikat e investimit dhe administrimi i riskut
1.Këshilli i administrimit miraton politikat e investimit, në përputhje me ligjin dhe rregulloret në zbatim të këtij ligji, mbikëqyr administrimin e investimeve të fondit të pensionit, siguron që përbërja dhe diversifikimi i tyre të përcaktohen në mënyrën e duhur në politikën e investimit. Politika e investimit, në kuptim të kësaj pike, përfshin:
a)kufijtë për shumat, që mund të mbahen në lloje të veçanta investimesh;
b)përcaktimin e qartë të llojeve të instrumenteve financiare dhe të çdo aseti tjetër, në të cilin mund të investohet fondi i pensionit;
c)rregulla për ruajtjen e aseteve të anëtarëve;
ç)vlerësimin e përputhjes së duhur të aseteve dhe të detyrimeve;
d)procedurën e duhur për mbikëqyrjen e nivelit të likuiditetit.
2.Këshilli i administrimit miraton sistemin e administrimit të riskut për fondin e pensionit, që përfshin përcaktimin dhe monitorimin e politikave, me qëllim identifikimin, matjen, monitorimin dhe kontrollin, në mënyrë të vazhdueshme, të të gjitha risqeve kryesore.
Neni 63
Investimet e lejuara
Asetet e fondit të pensionit mund të investohen vetëm në asete të përcaktuara në rregulloret e nxjerra për këtë qëllim nga autoriteti. Brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, autoriteti nxjerr rregullore për aktivet e lejuara, në të cilat mund të investohet fondi i pensionit, kufizimet dhe kufirin maksimal të lejuar të investimit.
Ne zbatim te dispozitave te me siperme,Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka nxjerre Rregulloren Nr.1,date 28.01.2010 “PËR AKTIVET E LEJUARA, KUFIZIMET DHE KUFIRIN MAKSIMAL TË INVESTIMIT TË FONDIT TË PENSIONIT”ku percaktohen  fushat e ivestimit.Me poshte do te njiheni me rregulloren e me siperme
                              
AUTORITETI I MBIKËQYRJES FINANCIARE
RREGULLORE
PËR AKTIVET E LEJUARA, KUFIZIMET DHE KUFIRIN MAKSIMAL TË INVESTIMIT TË FONDIT TË PENSIONIT Miratuar me Vendimin e Bordit Nr. 1 Datë 28.01.2010
Neni 1
Baza ligjore dhe qëllimi
1. Kjo rregullore hartohet në bazë të nenit 63, të Ligjit nr. 10 197, datë 10.12.2009,për fondet e pensionit vullnetar dhe pikës 3 të nenit 14, të Ligjit nr.9572, datë 03.07.2006 për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.
2. Qëllimi i kësaj rregullore është të përcaktojë aktivet e lejuara, në të cilat mund të investohet fondi i pensionit, kufizimet dhe kufirin maksimal të lejuar të investimit.
Neni 2
Investimet e lejuara
Asetet e një fondi pensioni mund të investohen vetëm në instrumentet e mëposhtëm:
a) bono thesari, obligacione, dhe letra të tjera me vlerë të emetuara ose të garantuara nga Republika e Shqipërisë;
b) bono thesari, obligacione, dhe letra të tjera me vlerë të emetuara ose të garantuara nga një shtet anëtar i BE-së ose i OECD-se ose nga bankat qendrore përkatëse;
c) bono thesari, obligacione, ose letra të tjera me vlerë të emetuara ose të garantuara nga Banka Qendrore Evropiane, Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Botërore;
d) depozita bankare në banka të licencuara, me afat maturimi jo më shumë se 12 muaj;
e) letra borxhi të klasifikuara si BBB ose më të lartë, sipas Standard & Poor’s ose Fitch, Baa3 ose më të lartë sipas Moody’s ose BBB (e ulët) ose më të lartë sipas DBRS (Dominion Bond Rating Service);
f) aksione ose kuota të fondeve të investimit të licencuara në një shtet anëtar të BEsë dhe që kanë si qëllim të vetëm investimin në indekset në vijim: CAC 40, DAX, FTSE 100, S&P 500, Mesatarja Industriale e Dow Jones, Nikkei 225 (Japoneze), Sensex (Indiane), All Ordinaries (Australiane) dhe Indeksi Hang Seng (Hong Kong), ose në obligacione, bono thesari dhe letra të tjera me vlerë të emetuara ose të garantuara nga shtetet anëtare të BE-së.
Neni 3
Kufizimet e investimit dhe kufiri i lejuar
Asetet e një fondi pensioni nuk mund të investohen më shumë se:
a) 70% në obligacione, bono thesari dhe letra të tjera me vlerë të emetuara ose të garantuara nga Republika e Shqipërisë;
b) 20% në depozita bankare në të njëjtën bankë,;
c) 30% në letra borxhi të klasifikuara si BBB ose më të lartë, sipas Standard & Poor’s ose Fitch, Baa3 ose më të lartë sipas Moody’s, ose BBB (e ulët) ose më të lartë sipas DBRS (Dominion Bond Rating Service), por jo më shumë se 10 %, në një emetues të vetëm;
d) 30% në aksione ose në kuota të fondeve të investimit të licencuara në një shtet
anëtar të BE-së dhe: i. që asetet e tyre investohen në indekset në vijim: CAC 40, DAX, FTSE 100, S&P 500, Mesatarja Industriale e Dow Jones, Nikkei 225 (Japoneze), Sensex (Indiane), All Ordinaries (Australiane) dhe Indeksi Hang Seng (Hong Kong); ose ii. që asetet e tyre investohen në obligacione, bono thesari dhe letra të tjera me vlerë të emetuara ose të garantuara nga shtetet anëtare të BE-së;
e) 100% në obligacione, bono thesari ose në letra të tjera me vlerë të emetuara ose të garantuara nga Banka Qendrore Evropiane, Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Botërore;
f) 100% në obligacione, bono thesari dhe letra të tjera me vlerë të emetuara ose të garantuara nga shtetet anëtare të BE-së ose të OECD-se ose nga bankat qëndrore përkatëse, por:
i. jo më shumë se 30% në një emetues të vetëm.
ii. kufiri rritet deri në 100% në një emetues të vetëm, pas miratimit nga AMF, sipas argumentave të dhëna për një plotikë të tillë investimi.
Neni 4
Hyrja në fuqi
Kjo rregullore hyn në fuqi në datën e miratimit të saj nga Bordi i Autoritetit të
Mbikëqyrjes Financiare.